KALLXO 360: Naser Osmani nuk Kundërshton Aktakuzën

Deputeti Naser Osmani i akuzuar si nënkryetar i Bordit të AKP-së nuk ka paraqitur në gjykatë kundërshtim të aktakuzës.

Osmani nuk e ka bërë kundërshtimin për arsyen se nuk janë të akuzuar të gjithë anëtarët e këtij bordi.

Ndërsa të akuzuarit e tjerë përmes mbrojtësve të tyre kanë paraqitur në gjykatë me shkrim kundërshtimet e aktakuzës. Ata akuzohen lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Fillimisht gjyqtari Shashivar Hoti tha se ka pranuar nga avokatët mbrojtës kundërshtimet e aktakuzës përveç nga avokati i Naser Osmanit dhe po ashtu nga një kopje të kundërshtimeve deklaroi se ia ka dërguar prokurorit.

Disa nga avokatët mbrojtës i paraqitën edhe në seancë kundërshtimet e aktakuzës.

Prokurori kërkoi kohë një javë që të japë mendimin e tij lidhur me kundërshtimet e avokatëve mbrojtës..

Gjyqtari e aprovoi kërkesën e prokurorit dhe i dha 7 ditët e kërkuara.

Bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Gjykimi i Osmanit dhe të tjerëve lidhet me privatizimin e Fabrikës “FAN” në Podujevë.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

http://kallxo.com/lexohet-aktakuza-ne-rastin-ndaj-naser-osmanit/