Naser Oriq (në mes) jashtë gjykatës të hënën. Foto: BIRN.

Naser Oriq Lirohet nga Akuzat për Krime Lufte

Gjykata shtetërore e Bosnjës të hënën liroi nga akuzat Naser Oriqin dhe ish-ushtarin e Ushtrisë Boshnjake Sabahudin Muhiq për vrasjen e tre të burgosurve serbë në zonën e Bratunacit dhe Srebrenicës.

Prokuroria pretendonte se Oriq, i cili ishte komandant i njësive të mbrojtjes territoriale të Ushtrisë Boshnjake, dhe Muhiq, i cili ishte vartës i tij, vranë robër serbë në fshatrat Zalazje, Lolic dhe Kunjerac në 1992.

Por kryetari i trupit gjykues, Shaban Maksumiq, tha se prokuroria nuk arriti të vërtetojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Oriq dhe Muhiq kryen vrasjet.

“Fitoi drejtësia,” tha Oriq ndërsa u largua nga gjykata në Sarajevë.

“Të gjithë ata që e ndoqën këtë gjyq mund të prisnin vetëm këtë vendim. Ne jemi të kënaqur, por ky s’është fundi, pasi me siguri prokuroria do ta apelojë vendimin,” tha avokatja e Oriq, Lejla Çoviq.

Një numër i konsiderueshëm policësh ishin të pranishëm jashtë gjykatës për vendimin.

Çështja ishte tepër e diskutuar sepse Oriq shihet si hero nga shumë boshnjakë për rolin e tij në mbrojtjen e Srebrenicës në vitet para masakrave të vitit 1995, ndërsa disa serbë kanë pohuar se akuzat kundër tij duhet të ishin më të ashpra.

Përfaqësuesit e viktimave serbe të luftës ishin të pranishëm në gjykatë për vendimin, por u larguan sapo Oriq u shpall i pafajshëm.

Duke u larguar nga salla e gjyqit, njëri prej tyre tha për BIRN se “Oriq është ende një kriminel lufte në sytë tanë” dhe pyeti: “Si supozohet të jetojmë së bashku pas kësaj?”

“Të gjithëve u intereson vetëm ajo që ndodhi në korrik 1995 kur forcat serbe të Bosnjës masakruan boshnjakët nga Srebrenica. Ku është drejtësia për ne?” pyeti një tjetër serb, Radojka Filipoviq.

Por përfaqësues të shoqatave të viktimave boshnjake dhe anëtare të grupit të viktimave “Nënat e Srebrenicës” e mirëpritën Oriqin dhe Muhiqin ndërsa ata largoheshin nga gjykata.

“Shpresoj vetëm që tani sulmet ndaj Oriqit më në fund të ndalojnë,” tha Kada Hotiq nga “Nënat e Srebrenicës”.

Para se të fillonte gjyqi, mbrojtja e Oriqit i kërkoi Gjyaktës së Hagës të urdhëronte ndalimin e procedurave gjyqësore kundër Oriqit, duke u shprehur se ai tashmë ishte gjykuar dhe liruar nga akuzat për krime lufte në Srebrenicë nga Gjykata e Hagës dhe s’duhet të dilte në gjyq dy herë për të njëjtat krime.

Gjykata e Hagës e refuzoi kërkesën, me gjyqtarin që tha se “akuzat për vrasje në aktakuzën boshnjake ndryshonin shumë nga akuzat për vrasje në aktakuzën e Hagës përsa i takon viktimave të dyshuara dhe natyrës, kohës dhe vendndodhjes së krimit të dyshuar”.

Vendimi i ditës së hënë mund të apelohet.