Deputeti i PDK-së Nait Hasani | Foto: KALLXO.com

Nait Hasani Kërkon Rishqyrtimin e Ligjit për Specialen

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i PDK-së Nait Hasani kërkoi që Ligji për Gjykatën Speciale të rishqyrtohet, duke prezantuar një kërkesë të familjes Deliu dhe kategorive të dala nga lufta për këtë çështje.

“Ni kërkesë ka ardhë në Kuvend nga familja Deliu dhe kategoritë e dala nga lufta më 8.2.2017 që Kuvendi i Kosovës ta rishqyrtojë edhe një herë Projektligjin për Gjykatën Speciale”, tha Nait Hasani.

Në të njëjtën kohë në lozhën e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

“Kjo është njëra ndër çështjet më të ndjeshme, mendoj se rrethanat janë pak ma ndryshe, e për me u dërgu në emër të grupit parlamentar duhet me qenë të gjithë në sallë. Edhe opozita. Të ndërpresim këtë seancë e të vazhdojmë një ditë tjetër,” tha Zenun Pajaziti në emër të PDK-së.

Edhe Ismet Beqiri kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet.

“Përkundër faktit qe kemi kuorum, u dakorduam që për shkak të rrethanave të krijuara, ta ndërpresim sot seancën. E për kërkesë nuk mund të flas në emër të grupit”, tha Beqiri.

Pastaj seanca u ndërpre, por veteranët po vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve