MZHE Kundër Telekomit: Lajmi për Emërimin e Nuredin Krasniqit Është i Pasaktë

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes një njoftimi ka sqaruar se lajmi për emërimin e Nuredin Krasniqi për Ushtrues Detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës, nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është i pavërtetë.

Në njoftim të MZHE-së thuhet se pretendimet për ‘njoftimin e dërguar nga ana e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në raport me gjendjen e krijuar’ nuk është i vërtetë.

Në sqarim thuhet se  Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dërguar ose udhëzuar ndërmarrjen e asnjë veprimi.

“MZHE me kujdes është duke u angazhuar që të gjejë zgjidhje sa më të shpejt për sa i përket Telekomit të Kosovës. Në këtë drejtim, brenda muajit Mars, pritet të emërohet Bordi i Drejtorëve i cili sipas dispozitave ligjore në fuqi do të procedoj tutje me zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes” thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Në sqarim thuhet se MZHE në cilësinë e pronarit të ndërmarrjeve publike, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit në tërësinë e tij, rrjedhimisht, asnjë vendim i njëanshëm nuk krijon efekt juridik dhe si i tillë nuk njihet.

Telekomi i Kosovës ka njoftuar sot se Nuredin Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e Kryeshefit të Telekomit të Kosovës, pasi që Kryeshefit të deritanishëm, Agron Mustafës i kishte skaduar mandati.

“Gjendja e krijuar në Telekom është rast i veçantë i pa ndodhur më parë, me qëllimin dhe vullnetin më të mirë si dhe obligimet që dalin nga detyrat dhe përgjegjësitë e punës, ushtrimin e detyrës së Zëvendës KE do vazhdojë të ushtrojë sipas vendimit të Bordit z. Nuredin Krasniqi, (prot.01-5351/15 dt.25.11.2015) deri në një vendim tjetër nga Aksionari” thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.