Mytaher Haskuka Merr Detyrën nga Ramadan Muja

Sot në komunën e Prizrenit u bë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të komunës nga tashmë ish-kryetari Ramadan Muja te kryetari i ri i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Mytaher Haskuka gjatë kësaj ceremonie ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prizrenit.

“Do jem kryetar i të gjithë qytetareve të komunës së Prizrenit dhe jam i nderuar që së bashku me qytetaret e komunës sonë të realizojmë të gjitha politikat publike komunale duke pasur synim parësor dhe përfundimtar kujdesin ndaj kërkesave të tyre dhe rritjen e besimit në politikën tonë”, ka thënë Haskuka.

Kurse Ramadan Muja, tashmë ish-kryetari i Prizrenit gjatë ceremonisë së bartjes së kompetencave te Mytaher Haskuka ka thënë që gjatë mandatit të tij janë munduar që të përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve të Prizrenit.

“Gjatë qeverisjes dhjetëvjeçare jemi munduar të implementojmë projekte të ndryshme të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe kam kënaqësinë që sot detyrat dhe obligimet politike, administrative e ligjore t’i bartë të kryetari fitues i zgjedhjeve në Prizren, Mytaher Haskuka”, ka thënë Muja.

Në zgjedhjet e sivjetme, Haskuka fitoi në balotazh ndaj kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj, me një diferencë të ngushtë në vota.