KALLXO 360: Mustafës e Thaçit do t’u Kontrollohet Pasuria

20 për qind të zyrtarëve të obliguar për deklarim pasurie, i nënshtrohen kontrollit të asaj çfarë kanë deklaruar.

Sivjet, sipas këtij shorti, përveç Mustafës e Thaçit, pasuria do t’u kontrollohet edhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë Hajredin Kuçit, por edhe zëvendësministrave të zhvillimit ekonomik, ambientit dhe financave Gani Kocit, Mendim Rugovës e Agim Krasniqit.

AKK-ja do ta kontrollojë edhe pasurinë e deklaruar të kryetarëve të Prishtinës e Leposaviqit Shpend Ahmeti e  Dragan Jabllanoviq, si dhe deputetëve Ramiz Kelmendi, Donika Kadaj-Bujupi, Nait Hasani e Margarita Kadriu-Ukelli.

Kontrollit do t’i nënshtrohet edhe kryeshefja ekzekutive në Komunën e Mitrovicës Veriore Adrijana Hoxhiq.

Në ditën kur u hodh shorti, drejtori i AKK-së Hasan Preteni tha se ndaj të gjithë atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë ushtruar kallëzime penale.

Ai gjithashtu tregoi se si ka vijuar ecuria e procesit të deklarimit të pasurisë.

“Duke filluar nga trajnimi i pikave të kontaktit në fillim të shkurtit të këtij viti, në fund të këtij muaji i kemi publikuar listat e zyrtarëve që e kanë për obligim që ta publikojnë pasurinë, gjatë marsit është realizuar deklarimi i pasurisë, në fillim të prillit i kemi publikuar listat e atyre zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë, në fillim të qershorit e kemi publikuar listën e të gjithë atyre zyrtarëve që e kanë deklaruar atë,” tregoi Preteni.

AKK-ja në fillim të këtij muaji bëri publike listën përfundimtare të zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë.

http://kallxo.com/publikohen-pasurite-e-zyrtareve-te-larte-publike

Sipas kësaj liste, deklarimin e pasurisë e kanë bërë mbi 99 për qind e zyrtarëve publikë, apo 4,319 nga 4,352 zyrtarët e obliguar për ta bërë këtë deklarim.

KALLXO.com shkroi për pasurinë e deklaruar të zyrtarëve publikë.

Sipas deklarimeve, Thaçi tash ka më shumë të hyra si President, ndërsa Kryeministri Mustafa ka deklaruar më pak para në banka.

http://kallxo.com/me-shume-te-hyra-si-president

http://kallxo.com/kryeministri-pak-para-ne-banke

Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, zyrtarët e lartë publikë duhet ta kryejnë deklarimin e pasurisë nga 1 marsi deri më 31 mars të çdo viti kalendarik, ndërsa kontrolli i 20 për qind e listës së përgjithshme të të deklaruarve do të përfundon me 31 dhjetor.

Ky ligj parasheh që ndaj zyrtarëve të cilët nuk do të deklarojnë pasurinë, apo që nuk e deklarojnë në mënyrë të drejtë do të ngrihet kallëzim penal për deklarim të rrejshëm.

Në listën për kontroll të deklarimit të pasurisë janë 805 zyrtarë publik.