Isa Mustafa, kryetar i LDK-së. Foto: KALLXO.com

Mustafa: Zgjidhjen për Krizën ta Gjejnë Ata që e Shkaktuan

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa thotë se do të dëshironte që këto ditë të shihte “një të mençur që do të të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë”.

Më tej, në mesin e këtyre vendimeve ai rendit liberalizimin e vizave, për të cilin thotë se është i lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi; dialogun me Serbinë, me të cilin sipas tij lidhet rruga jonë e integrimeve evropiane; si do të transformohet FSK në Forcë të Armatosur, dhe si do të ruhet partneriteti me NATO-n dhe me SHBA-të, në situatën kur serbët në Kuvend refuzojnë të votojnë ndryshimet kushtetuese; si do të forcohet shteti ligjor, më konkretisht si do të luftohet krimi dhe si do të luftohet korrupsioni…

“Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?”, pyet ai.

Më tej, Mustafa konsideron se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë “ata që e shkaktuan këtë gjendje”.

“Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua”, përfundon ai.