Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Mustafa Uron për Pavarësinë dhe Demarkacionin

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shkroi një urim për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke uruar po ashtu arritjen e konsensusit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai çështjen e demarkacionit e quajti një kauzë fiktive politike e cila sipas tij po mbyllet ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen fillestare.

“Republika e Kosovës është sot shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 117 shtete dhe me perspektivë të qartë integruese në familjen evropiane dhe në NATO, si procese të paalternativa për Kosovën.Është lajm i mirë që Kosova tashmë po e përmbyll procesin e demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë, e zvarritur padrejtësisht deri tani, për një kauzë fiktive politike”, shkroi ai.

Mustafa po ashtu foli lidhur me progresin e Kosovës për këto 10 vite që sipas tij nuk ka qenë ideali.

“10 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën me të arritura evidente por edhe ngecje në disa drejtime. Por, vitaliteti, përkushtimi, atdhedashuria dhe vendosmëria e popullit të Kosovës janë garanci për një të ardhme më të mire”, përfundoi Mustafa.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me homologun e tij malazez arritën dje një deklaratë të përbashkët për demarkacioni e cila sot u miratua në Qeverinë e Kosovës.

http://kallxo.com/miratohet-deklarata-per-demarkacionin-si-aneks-marreveshje/