Mustafa me Urim për Haradinajn

Në urimin e tij për qytetarët e Kosovës në 9 vjetorin e pavarësisë, Kryeministri Isa Mustafa uroi në veçanti ramush haradinajn, liderin e AAK-së që po mbahet në Francë derisa ky shtet të vendosë rreth kërkesës për ekstradim të Serbisë.

“Këtë përvjetor, kësaj radhe, ia uroj veçmas ish Kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinajt, i cili pa të drejtë po mbahet jashtë vendit me fletarrest të serbeve që kryen krime sistematike në Kosovë,” shkroi Mustafa në urimin e tij.

Mustafa në urim tha se e vërteta do të ngadhënjejë.

“Vlerat e lirisë dhe të shtetit të pavarur sikurse edhe e vërteta janë përherë ngadhënjyese, ashtu siç është Kosova!” vijoi postimi i Mustafës në Facebook.

Ramush Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze në filim të janarit me një fletarrestim të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia, ndërsa për kërkesën ekstraduese të Serbisë do të vendoset në mars.

Mustafa uroi edhe të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës që shkroi se po vënë nga një gur në shtatin e  republikës.

“Juve që çdo ditë po e vëni nga një gur në shtatin e Republikës së Kosovës që sot i mbushi 9 vjet, juve bashkatdhetarë tanë që prore shikoni kah Kosova të cilën e mbështetët aq shumë në fazat më delikate, juve familjeve të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, ju uroj këtë përvjetor të madh të pavarësisë së shtetit tonë,” shkroi Mustafa.