Mustafa: Telekomi i Kosovës Rrezikon të Falimentojë

Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, sipas të cilit Telekomi i Kosovës obligohet të paguajë 26.1 milionë euro gjobë, pa llogaritur këtu interesin e kalkuluar si dhe dhënien e bllokut të prej 100 mijë numrave shtesë dhe të shërbimeve 3G e 4G, sipas kërkesës së “Z-Mobile” dhe ARKEP, ka nxitur reagimin e drejtuesve të korporatës.

Drejtori menaxhues i Telekomit, Agron Mustafa, përmes një komunikate thotë se ky vendim është një prej më të rrezikshmëve kundër korporatës dhe rrezikon të ardhmen e saj.

“Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekom i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës,- deri në falimentim”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit erdhi pasi kompania “Z-Mobile” ka ushtruar padi pranë këtij institucioni, me pretendimet se është shkelur kontrata dhe nuk i janë ofruar shërbimet e kërkuara sipas kësaj kontrate.

Janë 4 pika, apo çështje, mbi të cilat u ushtrua padi: Vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTK-së për “Z-Mobile”; mosalokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX; mosdhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe degradimi i shërbimeve.

Padinë “Dardafon.net” e kishte dorëzuar në Arbitrazh më 14.4.2015.

Ndërsa, Telekomi i Kosovës thotë se e ka pranuar vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit dhe se janë duke u konsultuar me çdo instancë juridike dhe institucionale për të parë mundësinë e ankimimit dhe refuzimit të këtij vendimi.

Po ashtu, Telekomi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të japë të gjithë asistencën e mundshme në këtë drejtim, pasi ky vendim rrezikon Telekomin e Kosovës, në të cilin punojnë mbi 2.300 punëtorë në mënyrë direkte.

Një rast tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të cilin Qeveria e Kosovës do të paguajë miliona euro është ai për pasaportat biometrike.

Rreth 5 milionë euro është dënimi që duhet t’i paguhet shtypshkronjës shtetërore austriake “Osterreichische Staatsdurckerei”.

http://kallxo.com/mpb-deklarohet-sot-per-gjoben-5-milioneshe/