Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Mustafa: Ta çojmë Përpara Veprën e Rugovës

Kryetari i LDK-së,  Isa Mustafa, bashkë me Kryesinë e LDK-së dhe bashkëpunëtorë nderuan jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës në ditën e lindjes së tij.

Mustafa tha se ish-presidenti Rugova është dhe do të mbetet një prej figurave më të rëndësishme jo vetëm për LDK-në por edhe për shtetin e Kosovës.

Për Mustafën, Rugova i ka vënë themelet e shtetndërtimit të Kosovës, ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke qenë kështu presidenti i parë historik i Kosovës.

“Ai do të nderohet gjithmonë nga LDK-ja dhe bashkë do ta çojmë përpara veprën e Presidentit Rugova, të zhvillojmë një demokraci të mirëfilltë ashtu siç ai e ka paramenduar dhe i ka vënë themelet, gjithmonë duke u përshtatur me ecuritë bashkëkohore dhe evropiane dhe në bashkëpunim me SHBA-në”, tha Mustafa.

Ai përmendi edhe porosinë e Ibrahim Rugovës.

“Gjithmonë ka qenë porosi e tij të mbajmë miqësi me SHBA-në dhe BE-në”, tha Isa Mustafa.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, të Istogut.

Ibrahim Rugova, ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar.

Ish – presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006./21Media