Isa Mustafa në Trieste | Foto: ZKM

Mustafa: Samiti i Triestes të na Përgatisë për BE

Në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të shteteve europiane dhe BE-së, Kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se nismat si kjo nuk duhet të jenë zëvendësim për rrugën drejt BE-së.

“Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatisë në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Europian dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge”, tha Mustafa.

Në takim krahas liderëve ballkanikë morën pjesë edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Mustafa pastaj, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, foli për zhvillimet në Kosovë, duke deklaruar se për liberalizim të vizave Kosova ka plotësuar 94 nga 95 ktiteret e kërkuara.

Më tutje Mustafa tha se për demarkacionin Kosova nuk ka problem me Malin e Zi, por mosratifikimin e konsideroi çështje të brendshme.

Mustafa, sipas komunikatës, foli edhe për raportet e Kosvës me fqinjët, ndërsa shfrytëzoi samitin për t’ia uruar detyrën e kryeministres së re të Serbisë Ana Brnabiq.

“Kemi nevojë që me Serbinë aktualisht të zgjidhim problemin e energjisë dhe transmisionit i cili ka mbetur i papërdorshëm dhe në të cilin kemi investime rreth 70 milionë euro me përkrahjen e qeverisë gjermane dhe  Bankës Gjermane për Zhvillim, që kemi realizuar së bashku me Shqipërinë”, tha Mustafa.

Kryeministri në detyrë foli edhe për heqjen e barrierave të vizave mes Bosnjës dhe Kosovës.

Në takimin e sotëm u nënshkrua Traktati i Komunitetit të Transportit që synon nxitjen e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit në ushën e transportit.

KALLXO.com shkroi dje për udhëtimin e Mustafës drejt Italisë për të marrë pjesë në Samitin e Triestes.

http://kallxo.com/isa-mustafa-ne-takimin-e-lidereve/