Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa: Protesta e 97-ës Vendosmëri për Liri

Protestën studentore të 1 tetorit 1997 Kryeministri isa Mustafa  e vlerësoi një ngjarje shumë të rëndësishme në rezistencën kundër ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“E organizuar dhe e udhëhequr nga studentët e pedagogët universitarë, ajo ishte një protestë gjithëpopullore, e cila në esencë dëshmoi vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci,” tha Mustafa sipas Zyrës për Komunikim Publik në Kryeministri.

Mustafa deklaroi se pjesëmarrësit e atëhershëm të protestës nuk mundi t’i ndalë as dhuna e përdorur nga aparatet e forcës së këtij regjimi.

“Studentët, profesorët dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndali as dhuna e shfrenuar e regjimit kriminal për të demonstruar aspiratat e tyre dhe për t’i realizuar ato më pas,” tha Mustafa.

Ai kujtoi më tutje se nga rezistenca paqësore dhe lufta e armatosur u krijua shteti.

“Sot, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, falë sakrificës dhe përkushtimit të të gjitha shtresave të shoqërisë kosovare, rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, me përkrahje të pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe vendeve tjera demokratike evropiane dhe më gjerë,” tha Mustafa.

Protestën e 1 tetorit 1997 e kujtuan sot edhe zyrtarë tjerë dhe ish-organizatorë e pjesëmarrës.

http://kallxo.com/19-vjet-nga-protesta-qe-nisi-ndryshimin/