Mbledhja e Qeverisë | Foto: ZKM

Mustafa Propozon Rritje të Pagave

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri Mustafa ka kërkuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti që në  bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar të propozojë rritjen e pagave për shërbyesit civilë, punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.

“Dëshiroj të kërkoj nga Ministria e Financave që në mbledhjet e ardhshme, prapë në koordinim me FMN-në, të propozojë edhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë dhe njerëzit tjerë që punojnë në arsim dhe në shëndetësi, në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi edhe gjatë rishikimit të buxhetit t’i kemi këto komponente dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave sipas rritjes ekonomike”, tha Mustafa.

Ai rritjen e mundshme të pagave e lidhi me atë që e quajti qëndrueshmëri të mirë buxhetore.

“Javën e kaluar kemi aprovuar informatën lidhur me ecuritë e buxhetit dhe për kornizat për vitet e ardhshme. Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore gjatë kësaj periudhe, kemi lëvizje të mira ekonomike”, tha Mustafa.

Kryeministri premtoi se qeveria do ta ketë parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që të mos krijoj diferenca të mëdha të pagave.

“Do të kemi parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër. Nëse pajtoheni do të kërkojmë nga Ministria e Financave që të vijë me një propozim të caktuar gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, tha në mes tjerash kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u bë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Presidentin, ndërsa iu vazhdua mandati edhe komisionit që shqyrton diplomat e universitetit në Mitrovicën Veriore.

http://kallxo.com/qeveria-ploteson-ligjin-per-presidentin/

http://kallxo.com/kuci-keshillon-todosijeviqin-rreth-emrit-te-mitrovices/