Parada e Krenarisë më 2017| Foto: KALLXO.com

Mustafa: Përmbyllëm me Sukses Paradën e Krenarisë

Në Paradën e Krenarisë të mbajtur sot për herë të parë në Prishtinë, pas ecjes së komunitetit LGBTI dhe përkrahësve të tyre nga sheshi “Skënderbeu” në “Zahir Pajaziti”, një fjalim e mbajti Lendi Mustafa nga Qendra për Barazi dhe Liri (CEL).

Mustafa tha se në botë ka vend për të gjithë njerëzit, por nuk ka vend vetëm për urrejtjen.

Ai deklaroi më tutje se parada u përmbyll suksesshëm.

“Pas tri viteve të organizimit të marsheve kundër homofobisë e transfobisë sot arritëm ta përmbyllim me sukses Paradën e parë të Krenarisë në Kosovë”, tha Mustafa.

Ai deklaroi më tutje se po e ngre zërin për të gjithë komunitetin LGBTI.

“Këtu po e ngris zërin jo vetëm për të më dëgjuar mua, por për t’u dëgjuar i gjithë komuniteti LGBTI. Për ata të cilët e duan të drejtën dhe lirinë për të jetuat në paqe, të drejtën për t’u trajtuar me dinjitet si të drejtën për mundësi të barabarta”, tha Mustafa.

Pas fjalimit të tij të mbledhurit në paradë vallëzuan dhe kërcyen nën tingujt e muzikës.