Kryeministri i Kosovës bën homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut - Foto: KALLXO.com

Mustafa Përkujton Masakrat e Krushës dhe Suharekës

Kryeministri Isa Mustafa ka shkruar se me dhimbje të madhe përkujtojmë sot dy prej masakrave më të rënda që populli ynë përjetoi 18 vjet më parë.

“Mbi 240 bashkëqytetarë tanë, fëmijë, gra e burra, u vranë më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit. Ndërkaq, në Suharekë, Familja 50 anëtarëshe Berisha, u masakrua nga forcat serbe”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.

Po ashtu, shefi i Qeverisë tha se qytetarët e Kosovës nuk do t’i harrojnë kurrë të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jemi të lirë.

“Bota demokratike, ashtu siç i bombardoi forcat serbe 18 vjet më parë, duhet ta detyrojë shtetin serb, që të dënojë të gjithë kryesit e krimeve, të zbardh fatin e të pagjeturve dhe të kërkojë falje për krimet e panumërta në Kosovë”, ka shkruar po ashtu ai.

Përmes një postimi në “Facebook” edhe presidenti Hashim Thaçi ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe, të cilën e ka quajtur si një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare.

Me këtë rast, presidenti u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që “sa më parë të hetojnë këto vrasje dhe masakra kudo në Kosovë”.

Ndërkohë, në Krushë të Madhe të Rahovecit sot janë përkujtuar 241 personat e vrarë e të zhdukur, të cilët u ekzekutuan nga  forcat serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe që po kryenin krime të llahtarshme në gjithë Kosovën.

http://kallxo.com/krushjanet-kerkojne-drejtesi-per-241-personat-e-vrare-e-te-zhdukur/