Isa Mustafa | Foto: Facebook

Mustafa për Vizat: Mos i Merrni në Qafë Artistët

Kryeministri Mustafa shprehu shqetësimin e tij sot pas refuzimit të vizave për Eroll Bilibanin e Agon Maliqin.

“Jam shumë i shqetësuar që dy qytetarëve tanë, pjesëtarë të njohur të shoqërisë civile, Agon Maliqi dhe Eroll Bilibani, nuk u janë dhënë viza për të marrë pjesë në evente që zhvillohen në shtete të BE-së, e që lidhen me angazhimet e tyre artistike dhe civile,” shkroi Mustafa.

Eroll Bilibanit, drejtorit ekzekutiv të “Dokufestit” iu refuzua viza për pjesëmarrje në festivalin e filmit në Berlin, ndërsa Agon Maliqi, njëri nga themeluesit e bllogut “Sbunker” po për mungesë vize nuk mundi të shkojë në Varshavë ku do të ishte pjesëmarrës në një samit të teknologjisë informative.

Mustafa në postimin e tij fajësoi sidomos liderët politikë kosovarë që janë kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Por, më shumë se me këdo tjetër, jam i mllefosur me përfaqësuesit politikë të Kosovës, me njerëzit që lirinë e lëvizjes së njerëzve tanë po e mbajnë peng të kauzave dhe lojërave të ulëta politike,” shkroi Mustafa.

Komisioni Europian ka vënë si kritere të fundit për lëvizje të lirë të kosovarëve në Zonën Shengen ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit dhe rezultate konkrete në luftë kundër korrupsionit.

Mustafa në postimin e tij e konsideroi të përmbushur kriterin për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Përmbushëm edhe kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi dhënë prova të qarta se këtë luftë do ta vazhdojmë me çdo mjet dhe në çdo ditë të punës sonë. Rezultatet në këtë drejtim po shihen dita e ditës,” shkroi Mustafa.

KALLXO.com në fillim të këtij viti, duke analizuar proceset gjyqësore kundër korrupsionit, shkroi se luftimi i kësaj dukurie vitin e kaluar ishte shumë i zbehtë.

Dënimet 2016: ’Ledhatimi’ i Korrupsionit!

Mustafa u bëri thirrje deputetëve ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit, sipas tij për të mos i marrë në qafë të rinjtë, artistët dhe grupet tjera të shoqërisë.

“Është në ndërgjegjen e përfaqësuesve të zgjedhur të këtij vendi që të mos i marrin në qafë të rinjtë, studentët, artistët, shoqërinë civile, njerëzit që kanë nevojë për tretman shëndetësor që s’mund ta gjejnë në Kosovë, familjarët e diasporës tonë, të cilët kanë nevojë të lëvizin duke respektuar në plotni kriteret e BE-së për lëvizjen e lirë,” shkroi Mustafa.

Ai në fund shkroi se nuk do të ishte kundër që politikanëve kosovarë t’u ndalohej liria e lëvizjes dhe ajo t’u lejohej qytetarëve të Kosovës.