Mustafa për Thaçin: Rival dhe Partner

“Unë sot jam para jush me zotin Thaçi, liderin e PDK-së. Mund të them edhe me rivalin më të madh të LDK-së, sepse ne si parti politike gjithmonë kemi qenë rivalët më të mëdhenj. Kemi 15 muaj që jemi  partnerë të koalicionit. Jam i bindur që edhe për mu edhe për të do të ishte më lehtë që njëra palë të ishte pozitë dhe tjetra opozitë, sepse do të drejtonim edhe më lehtë subjektet tona. Por realiteti është tjetër,” tha Mustafa.

Zëvendësi i tij Thaçi tha edhe njëherë se Qeveria e Kosovës do të respektojë vendimin e 23 dhjetorit 2015 të Gjykatës Kushtetuese për asociacionin.

“Qeveria e Kosovës respekton vendimin e  Gjykatës Kushtetuese që ka vërejtur që disa elemente të parimeve për themelimin e këtij asociacioni që nuk janë në frymën kushtetuese por Gjykata Kushtetuese e lejon themelimin e  asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kërkon që të respektohet plotësisht kushtetuta e Republikës së Kosovës,” tha Thaçi.

Ndërsa analisti Halil Matoshi u tha qeveritarëve se nuk ka dëshirë të jetojë në një vend ku opozita nuk pyetet për asgjë.

“Unë nuk kisha pas qef me jetu unë dhe familja ime në një vend ku qeveriset pa opozitë, ose ku nuk  është mundu asnjëherë me u ndërtu konsensus politik me opozitën. Ju nuk e keni pyt opozitën për asgjë  dhe sot e kemi situatën cilën e kemi. Situata është e rrezikshme ju duhet ta pranoni,” tha ai.

Edhe subjektet opozitare “Vetëvendosje” e AAK-ja kanë zhvilluar diskutime të tilla me shoqërinë civile.