Mustafa: Për Dreshajn e AAK-së Kanë Votuar të Vdekurit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas përmbysjes së rezultateve të votimeve për kryetar të Komunës së Istogut.

Pas numërimit të votave me kusht dhe me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve del se këtë komunë për herë të parë nuk do ta drejtojë kandidati i LDK-së, por i AAK-së.

Në një postim, Mustafa ka thënë se Haki Rugova është Kryetar i Istogut.

Ai ka theksuar se kanë argumente të mjaftueshme për keqpërdorime që janë bërë me votat me postë për Istogun.

“Kanë votuar njerëzit e vdekur, i kemi fotot e varrezave të tyre, vëzhguesit kanë vërtetuar pliko të njëjta për të gjitha postimet, printer të njëjtë dhe letër të njëjtë. Janë falsifikuar identitetet e votuesve”, ka thënë Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Isa Mustafa ka theksuar se këto fakte do t’ia ofrojnë PZAP-së dhe Prokurorisë së shtetit.

“Prandaj mos u mashtroni se ka fituar Gani Dreshaj”, ka këshilluar ai.

http://kallxo.com/gani-dreshaj-tejkalon-haki-rugoven/

Ndërsa, kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, në një prononcim për KALLXO.com i ka quajtur “të manipuluara” kontingjentin e votave që sot mori rivali i tij, Gani Dreshaj, në garën për kryetar të komunës.

http://kallxo.com/haki-rugova-konteston-votat-nga-jashte-per-gani-dreshajn/

Mbi 1,500 votat e ardhura nga kategoria e votuesve me kusht e me postë të ardhura për Istogun e përmbysën rezultatin e zgjedhjeve të 19 nëntorit me të cilin Haki Rugova ishte 671 vota në epërsi ndaj Gani Dreshajt të AAK-së.

Në numërimin e sotëm, Dreshaj mori 1,475 vota ndaj 133 sa pati për Rugovën gjë që e përmbys rezultatin dhe e vendos Istogun nën kontroll të AAK-së.