Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa: Nuk do të Ketë Kufij Tjerë

“Ne mund ta helmojmë opinionin me llojlloj ‘argumente’, mund edhe të kërcënojmë se kurrë nuk do të ratifikohet marrëveshja, por duhet të jemi realistë se kufij tjerë të këtij shteti nuk do të ketë. Janë këta kufij që i njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar,” shkroi Mustafa në Facebook.

Ai më tutje deklaroi se komisioni shtetëror për demarkacion nuk ka caktuar kufij të rinj.

“Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare nuk ka përcaktuar kufij të rinj, ka respektuar kufijtë në të cilët kemi shpallur pavarësinë. Kufijtë për Kosovën janë caktuar kur është çliruar Kosova dhe kur është shpallur pavarësia. Nuk caktohen sot, as në mbledhjen e 1 shtatorit,” vijoi më tutje postimi i Mustafës.

Mustafa edhe më parë ka dhënë mesazhe të ngjashme, ndërsa edhe Presidenti Thaçi të enjten, të shtunën, por edhe sot nëpër adresime dhe postimeve në rrjete sociale ka bërë thirrje që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit.

Dje Daut Haradinaj kërkoi nga Thaçi që të mos u përzihet deputetëve në vullnetin që do ta shprehin në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit, ndërsa Ali Lajçi që ishte vëzhgues në komisionin kosovar për demarkacion, tha se Thaçi po bën presion ngase është në panik për mungesën e votave që demarkacioni të ratifikohet.

Seanca ku pikë e rendit të ditës është ky ratifikim është caktuar më 1 shtator. Marrëveshja ratifikohet me votat e 80 deputetëve, ose dy të tretat e numrit të përgjithshëm të tyre.

Më 1 shtator Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar protestë.