Koalicioni LDK-AKR-A-LD prezanton kandidatët për deputetë - Foto: KALLXO.com

Mustafa: Nuk e Kemi Larguar Askënd nga Lista

“Nuk kemi përjashtuar e as larguar askënd. Por, mundësitë kanë qenë të tilla. Sepse, për herë të parë si LDK kemi hyrë në koalicion…”, tha Isa Mustafa në takimin ku koalicioni i kryesuar nga partia e tij prezantoi kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Mustafa i falënderoi të gjithë ata që kanë treguar mirëkuptim për pamundësinë e futjes në listë.

Më tej, kryeministri në detyrë tha se gjatë gjatë këtyre dy jave do të mundohen të shpalosin programin e koalicionit LDK-AKR-Alternativa-LD.

“Ky koalicion do të qeverisë me vendin dhe duhet të tregojmë se si qeveriset mirë në Ballkan”, theksoi Mustafa.

Ky takim nisi me një minutë heshtje në nderim të deputetit të LDK-së, Agim Kikaj, i cili vdiq një javë më parë.

Ndërsa, kandidati i koalicionit për kryeministër, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për fushatë dinjitoze.

“Lufta jonë e pakompromis kundër korrupsionit po bën që kudo që po shkojmë po pritemi mirë, dhe unë jam plot besim”, tha Hoti.

I bindur në fitore në zgjedhjet e 11 qershorit, Hoti tha se pret që të nisin të punojnë bashkë.