Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: Nuk Bëhet Qeveria me Radoiçiqat e Veselinoviqat

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Isa Mustafa, është deklaruar sërish rreth formimit të institucioneve.

Duke aluduar me gjasë në një takim të përfolur në media mes kandidatit të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, me vjehrrin e Zvonko Veselinoviqit, Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk bëhet me Radoiçiqa e Veselinoviqa, “as me kumari me ta dhe me krimin”.

“Kosovës i nevojitet një qeveri me shumicë shqiptare, e cila respekton plotësisht të drejtat e popullatës joshumicë”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se LDK nuk do të bashkëpunojë me ata që nuk zgjedhin mjete për të ardhur në Qeveri. “Por do të bashkëpunojë dhe do të bashkëqeverisë vetëm me ata të cilët nuk diktohen nga krimi dhe nga Lista Serbe për të qeverisur Kosovën”, ka theksuar ai.

Zvonko Veselinoviq dyshohet për shumë vepra penale të kryera në veri të Kosovës.

Ndërsa, mediat kanë njoftuar se Ramush Haradinaj është takuar me vjehrrin e tij, Milan Radojiçiq, i cili po ashtu dyshohet për vepra penale.