Vizita në Viti | Foto: Zyra e Kryeministrit

Mustafa në Viti për Nevojat e Bizneseve

“Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave që po u bëhen fabrikave dhe kompanive të ndryshme, me qëllim që si qeveri të njoftohen më mirë me nevojat e bizneseve,” tha Mustafa, derisa po vizitonte Fabrikën e Stiroporit “Daka Therm” në Pozheran.

Pronari i kësaj fabrike Ibrahim Ostërgllava i tha Kryeministrit Mustafa se mundësia që qeveria u ka dhënë bizneseve për ta paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar pas shitjes së prodhimit ka shtuar vendet e punës dhe rritjen e prodhimtarisë.

Mustafa më pas vizitoi edhe fabrikat “Euro-Fisi” dhe “Elektrostublla”. Te fabrika e parë Mustafa bashkë me kryetarin e Vitisë Sokol Haliti përuruan Repartin e Rrjetave Fasaduese.

Mustafa një takim e zhvilloi edhe me kryetarin e Vitisë.

Pas takimit Haliti tha se bizneset janë duke i çelur sytë.

“Vërtet bizneset fillestare po çelin sytë gradualisht sepse ju kanë krijuar favore më të mëdha me vendime dhe qëndrime dhe me ligje të reja që po krijohen, sidomos jemi duke e mirëpritur edhe Ligjin për Investime Strategjike, por edhe këto kushte e favore që u janë krijuar bizneseve vërtet kanë gjeneruar punësim,” tha Haliti.

Ndërsa Kryeministri Mustafa foli për zhvillim ekonomik.

“Diskutuam veçmas për projektet e zhvillimit ekonomik ku dhe kemi të dhëna se ka pasur shumë firma që janë regjistruar në vitin e kaluar dhe janë hapur në këtë komunë , por edhe inciativa të reja të ardhjes qoftë nga  bashkatdhetarët tonë që punojnë në vendet përendimore,  qoftë nga partnerët e tyre atje, ose investitorët vendas dhe do ta përkrahim edhe zonën e biznesit të cilat zona po tregohen të sukesesshme,” tha Mustafa.

Mustafa vizitoi edhe shkollën e parë shqipe “Dom Mikel Tarabulluzi në Stubëll dhe komunitetin kroat e kishën e tyre në Letnicë të Vitisë.