Isa Mustafa në Kuvend | Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: Mocioni Pamflet Politik

Në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, Kryeministri Mustafa këtë mocion e cilësoi pamflet politik.

“Mocioni i mosbesimit konsideroj që është pamflet politik”, tha Mustafa.

Ai këtë mocion e cilësoi që po dëshiron t’ia veshë qeverisë dështimet e qeverive të kaluara dhe dëmet e keqpërdorimet e shkaktuara edhe nga disa individë që e kanë nënshkruar këtë mocion.

Sipas Mustafës, mocioni “ka për qëllim destabilizimin e vendit dhe fshehjen e  adresave për dëmet shumëmilionëshe që i janë shkaktuar vendit”.

Më tutje Mustafa përveç për mocionin ka folur edhe për të gjitha ato gjëra që i konsideron suksese të qeverisjes së tij.

“Na kanë gjuajtur me gurë, na kanë gjuajtur me molotov, sepse ne nuk kemi banda që të na mbrojnë”, tha Mustafa, duke lavdëruar bashkëpunëtorët me të cilët qeverisi.

Mustafa kritikoi edhe deputetët e Kuvendit.

“Ma shumë deputetët rrinë në bufe se në sallë. Asnjë mbledhje e këtij kuvendi nuk kanë nisë me kohë. Kemi shumë deputetë që kanë problem me ligjin dhe është në pikëpyetje si mund të marrin vendim për ligje”, tha Mustafa.

Ai përsëriti se kjo qeveri nuk ka pasur asnjë aferë korruptive.

Në vitin 2015 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi se djemtë e Isa Mustafës kishin fituar një tender për servisimin e makinave të Zyrës së Kryeministrit.

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria