Isa Mustafa - Foto: Facebook

Mustafa: Lista Serbe Dikton Konstituimin e Institucioneve

Duke kujtuar miratimin e Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik më 7 shtator 1990 “si një epokë që nuk zbehet”, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se 27 vjet pas kësaj ngjarjeje po konstituohen institucionet me kalkulime dhe bekim të Beogradit.

“Fiks pas 27 vjetësh(nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut) si pasojë e kalkulimeve meskine të një grupacioni politik, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria konstituohen vetëm pas koncesioneve dhe ashtu siç e dikton Lista Serbe me bekimin e Beogradit”, shkroi Mustafa në Facebook.

Më tutje Mustafa miratimin e atëhershëm të kushtetutës e konsideroi themel të shtetësisë.

“Respekt për të gjithë deputetët dhe veprimtarët e tjerë që rrezikuan edhe jetën e tyre për të mundësuar aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut!”, shkroi Mustafa.

Kuvendi u konstituua sot pas më shumë se dy muajsh nga thirrja e seancës konstituive.