Mustafa: Ligji për Trepçën nuk është Kundërkushtetues

Muhamet Mustafa, kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik reagoi ndaj kërkesës së Gjyqtarit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta anuluar Ligjin për Trepçën.

“Dëshiroj t’i siguroj aktorët e interesuar dhe opinionin se Ligji për Trepçën nuk eksproprijon asnjë të drejtë të askujt (pra as të kreditorëve), por gjithashtu siguron se asnjë pretendim nuk do të mund të ndalë procesin e konsolidimit të Trepça sh.a. të promovuar me Ligjin e aprovuar në Kuvend,” ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se sipas ligjeve në fuqi, në këtë rast Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit në parim borxhet shkojnë me asetet dhe kushdo që i merr asetet duhet t’i bartë edhe borxhet.

Muhamet Mustafa sqaroi se obligimet që kanë njësitë që janë bartur tek “Trepça Sh.A” do t’i merr kjo ndërmarrje, përkatësisht aksionarët e saj.

Mustafa shpjegoi se nëse ato njësi që kanë hyrë në “Trepça sh.a.” kanë borxhe të lidhura me asetet, ato do të trajtohen sipas Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike.

Sipas Mustafës, formulimi i neneve lidhur me kreditorët në Ligjin për Trepçën janë bërë me kujdes dhe në bashkëpunim me AKP-në.

“Nëse në këtë kuptim del ndonjë paqartësi lidhur me dispozitat që i rregullojnë obligimet që lidhen me asetet e caktuara që kanë hyrë në ‘Trepça sh.a’, kjo mund të përmirësohet, pas një shqyrtimi detal me AKP-në, por kjo assesi nuk e bën ligjin antikushtetues siç po pretendojnë disa,” ka shkruar Mustafa.

Ai ka folur edhe për konstatim e gjyqtarit se nuk mund të bëhet eksproprijimi për t’u bartur tek personat privatë.

“Aspektet juridike të kësaj kërkese duhet t’i vlerësojnë juristët, por duket e çuditshme kjo që pohohet aty se punëtorët nuk mund të bëhen pronarë të aksioneve, një fenomen ky i njohur në korporatat moderne, e këtë mundësi nuk e kufizon asnjë ligj i Kosovës,” thotë deputeti i LDK-së, Mustafa.

Ai ia ka kujtuar Dhomës Speciale se ka shumë probleme madhore më të cilat duhet të merret.

Sot një gjyqtar ndërkombëtar i kësaj dhome të Gjykatës Supreme konstatoi se Ligji për Trepçën është antikushtetues, ndërsa i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që përsëri të merret me të.

http://kallxo.com/eulex-flet-per-kerkesen-e-gjyqtarit-per-ligjit-te-trepces/

Kërkesën e gjyqtarit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme e sqaroi sot edhe EULEX-i.

DOKUMENT- Ankesa e Gjykatësit që Mund ta Përmbysë ‘Trepçën’