Mustafa: Liberalizimi Shpejt

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se brenda një kohe të shkurtër qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Këto komente Mustafa i ka bërë në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Degës së Dytë ose Qyteti i Vjetër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i LDK-së tha se kjo parti po e luan rolin e saj në shoqëri dhe se drejtuesit dhe anëtarët e saj do të tregohen të përgjegjshëm në misionin e tyre.

“Unë jam shumë i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të luajë rolin e vet në shoqëri sepse kjo duhet edhe tani edhe në të ardhmen dhe jam I bindur se do të tregohemi të përgjegjshëm në misionin që kemi marrë”, tha Mustafa.

Ai shtoi se tani kanë përgjegjësi më të mëdha se sa kanë pasur më herët sa i përket mënyrës qeverisëse.

“Na nevojitet përkrahje e gjithë qytetarëve në mënyrë që të realizojmë premtimet dhe synimet tona, në mënyrë që të kemi një shtet më të fortë në mënyrë ekonomike, të forcojmë shtetin ligjor, të zhvillojmë arsimin dhe shëndetësinë, ashtu siç bëjnë qytetarët dhe të rinjtë e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Në fund, shefi i Qeverisë tha se gjatë një kohe të shkurtër do t’u mundësohet qytetarëve të Kosovës të lëvizin në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kemi hyrë në marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe kam besimin e plotë se do të kemi një proces shumë të rëndësishëm për vendin tonë, një proces që u lejon qytetarëve tonë të lëvizin në vendet e tjera të Bashkimit Evropian”, shtoi Isa Mustafa.

Ndërsa, kryetari I Degës së Dytë, Mustafë Krasniqi, tha se që nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës anëtarët e kësaj dege kanë dhënë kontributin e tyre.

“U bënë 26 vjet kontribut në LDK-në që e themeloi presidenti historik Ibrahim Rugova. Nga themelimi e deri në çlirimin e Kosovës anëtarët e Degës së Dytë kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Krasniqi.