Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: LDK nuk Diskuton për Qeverisjen PAN

Isa Mustafa, kreu i LDK-së dhe Kryeministri në detyrë reagoi sot pasi Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i Koaliciont PAN u takua me anëtarë të familjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

“Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK”, shkroi Mustafa në Facebook, duke pyetur “Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike?”

Mustafa më tutje shkroi se të gjithë u bënë bashkë për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar prej tij.

“AAK, Nisma, VV, Lista Serbe, komunitetet tjera, të gjithë u bashkuat për t’i shpallur mosbesim një qeverie të drejtuar nga LDK që shënoi rritje ekonomike, stabilizoi buxhetin, rriti pensionet, e pakorruptuar me orientim të qartë evropian”, shkroi më tutje Mustafa.

Sot Ramush Haradinaj pasi vizitoi familjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, tha se mori përkrahjen e tyre për krijimin e qeverisë.

“Unë si i nominuar për kryeministër të Republikës se Kosovës, me kënaqësi e pranoj mbështetjen e familjes emblematike të Presidentit Rugova dhe zotohem që do të bëj ç ‘mos për ruajtjen e vlerave dhe mësimeve të Presidentit Rugova, për ruajtjen e miqësisë të përhershme me SHBA-të, BE dhe NATO”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Haradinaj në vitin 2004 ishte kryeministër në qeverinë e koalicionit me LDK-në, në kohën kur kryetar ishte Ibrahim Rugova.

Por Mustafa në postimin e tij duke iu referuar kësaj çështjeje, kërkoi që të mos e lodhin me të.

“Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia japë votat koalicionit të drejtuar nga PDK, e as Ramush Haradinajt me PDK-në”, vijoi reagimi i Mustafës.

Haradinaj gjatë vizitës në familjen e Ibrahim Rugovës u takua edhe me vajzën e ish-Presidentit dhe deputeten e LDK-së Teuta Rugovën.

http://kallxo.com/haradinaj-thote-se-mori-perkrahje-nga-familja-rugova/

Teuta Rugova tha pas takimit me Haradinajn se nuk do të veprojë jashtë qëndrimit të LDK-së.

http://kallxo.com/teuta-rugova-vota-ime-ne-perputhje-qendrimin-e-ldk-se/

Koalicioni PAN ka vetëm 39 deputetë dhe për të pasur shumicën në Kuvend u duhet së paku mbështetja edhe e 22 deputetëve.

Por Mustafa tha se LDK-ja nuk do ta diskutojë për qeverisjen e Koalicionit PAN, ndërsa tregoi se nuk do të marrë pjesë në takimin që të hënën e ka caktuar Presidenti Thaçi në lidhje me konsultimet për datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

“LDK nuk do të diskutojë me askënd për qeverisjen PAN. Si lider i LDK-së nuk do të marrë pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, shkroi Mustafa.

Edhe LDK-ja pas mbledhjes me kryetarë të degëve të saj refuzoi bashkëpunimin e mundshëm me PAN-in në lidhje me qeverinë e re.

http://kallxo.com/ldk-ja-refuzon-bashkepunimin-pan/