Isa Mustafa dhe Kadri Veseli | Foto nga Kuvendi i Kosovës

Mustafa: LAA nuk e voton Veselin për Kryetar të Kuvendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se deputetet e zgjedhur nga koalicioni LAA nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Është qëndrim i LDK-së të mos votohet Kadri Veseli për Kryetar të Kuvendit. Nuk do ta votojnë as deputetët e këtij koalicioni nga AKR dhe Alternativa”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Kryetari i LDK-së thotë se koalicioni LAA do ta pret rastin për formimin e qeverisë, nëse partitë që e kanë rrëzuar qeverinë Mustafa do të dështojnë të formojnë qeverinë.

“Qëndrim unanim i Këshillit të Përgjithshëm sot ishte se përgjegjësinë për themelimin e institucioneve e kanë subjektet e renditura para LDK-së. Ato që u organizuar bashkë për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK-ja. Në qoftë se ato dështojnë apo nuk mund të bëjnë këtë, atëherë LDK do të japë ofertën e vet, por gjithnjë pa PDK-në”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.