Mustafa në Samitin e Kryeministrave në Sarajevë | Foto: Facebook

Mustafa Kundër Unionit Doganor të Ballkanit

Ideja e Kryeministrit të Serbisë Vuçiq e përkrahur edhe nga Kryeministri shqiptar Edi Rama për një treg të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor është kundërshtuar nga Kryeministri Isa Mustafa.

Ideja parashikon qarkullimin e mallrave pa doganë dhe pa ngarkesa tjera tatimore jodoganore nëpër vendet anëtare të tij.

Por Mustafa këtë ide e konsideron ringjallje të tregut të përbashkët të njësive konstituive të ish-Jugosllavisë.

“Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ai reagimin e tij e shoqëroi me një foto nga samiti i Kryeministrave në Sarajevë ku mori pjesë.

Mustafa shkroi se “Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik evropian mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, edhe pse nuk përjashtoi që “Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor”.