Bajram Kelmendi me të bijtë | Foto: Facebook

Mustafa Kujton Avokatin që Denoncoi Krimet

Kryeministri Mustafa ngriti lart figurën e avokatit Bajram Kelmendi që me dy djemtë e tij Kastriotin e Kushtrimin u vra 18 vjet më parë.

“Tetëmbëdhjetë vjet më parë, regjimi kriminal i Serbisë, në shenjë hakmarrjeje për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kidnapoi dhe më pas i ekzekutoi barbarisht avokatin më të njohur kosovar të kohës, Bajram Kelmendin dhe dy bijtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin”, shkroi Mustafa në Facebook.

Mustafa Kelmendin e quajti denoncues të krimeve serbe në Kosovë.

“Bajrami ishte veprimtar i lirisë, duke bërë një punë kolosale në denoncimin me fakte juridike, në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, të krimeve gjenocidiale të shtetit serb në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, ai ishte një ndër caqet e para të regjimit kriminal serb”, vijoi postimi i Mustafës.

Mustafa konstatoi se familja Kelmendi është njëra nga ato familje që dha gjithçka për Kosovën.

“Familja Kelmendi, me sakrificën e saj sublime, do të përkujtohet gjithmonë si një prej familjeve të mëdha të Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë e vendit”, shkroi Mustafa.

Në tetëmbëdhjetëvjetorin e vrasjes së Bajram Kelmendit ka reaguar po në Facebook edhe zëvendësministri i Drejtësisë Florian Dushi.

“Me rënien e bombave të para të NATO-s mbi caqet serbe, në Prishtinë forcat serbe kryen një nga vrasjet më makabre. Atë natë forca kriminale të shtetit serb rrethuan dhe më pas u futën dhunshëm në familjen Kelmendi. Pas torturimit që ua bënë gati të gjithë anëtarëve të familjes, ata morën me vete avokatin Bajram Kelmendi, më të bijtë, Kastriotin e Kushtrimin.Të tre u gjetën të nesërmen të vrarë e të masakruar në mënyrën më mizore”, shkroi Dushi.

Ai e quajti Bajram Kelmendin avokat të Kosovës.

“Ai pati guximin të denoncojë krimet gjenocidale ndaj shqiptarëve nga shteti serb që nga fillimvitet e 90-ta, edhe në Hagë, Helsinki, Gjenevë e Ëashington. Prandaj, regjimi fashist e kriminal serb nuk ia fali dhe e ekzekutoi atë dhe të bijtë”, vazhdoi postimi i Dushit.

Zëvendësministri i Drejtësisë kërkoi që vrasja të ndriçohet.

“Vrasja e Avokatit dhe dy djemve të tij mbetet vrasja e vetme për dhe rreth së cilës nuk është zbuluar asnjë detaj sa iu përket atyre që morën pjesë drejtpërdrejt në vrasjen dhe masakrimin e tyre. Çdo gjë rreth këtij akti barbar mbetet e pandriçuar dhe si rrjedhojë kryesit e saj akoma të pandëshkuar”, shkroi Dushi.

Bajram Kelmendi bashkë me avokatët Fazli Balaj e Destan Rukiqi ishin hartuesit e kallëzimit penal kundër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e Hagës.

Kelmendi dhe dy djemtë e tij Kastrioti e Kushtrimi ishin marrë nga shtëpia e tyre më 24 mars,pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, ndërsa Nekibe Kelmendi, gruaja dhe nëna e të kidnapuarve të atëhershëm më 26 mars 1999 e kishte kuptuar se ata ishin vrarë.