Mustafa: Kosova do ta Ketë Kodin e Vet Telefonik

Kosova do ta ketë kodin e vet telefonik +383 dhe se nuk do të ketë më kodet +386, +381 e +377, ka thënë kryeministri Isa Mustafa në interpelancën e sotme, e cila po zhvillohet me kërkesën e deputetit Visar Ymeri, kërkesë e mbështetur edhe nga 6 deputetë nënshkrues, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës.

“Derisa ne po diskutojmë sot këtu, në Bruksel ministrja Edita Tahiri po merr pjesë në bisedime për zbatimin e Marrëveshjes në Bruksel që është arritur në partneritet me BE-në, e cila është edhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve”, tha shefi i Qeverisë.

Kryeministri përkujtoi se Austria ka aplikuar në janar për të kërkuar nga ITU që Kosovës t’i ndajë Kosovës kodin telefonik.

Por, deputeti Visar Ymeri tha se Kosova ka mundur të aplikojë vetë në ITU, ka mundur po ashtu ta shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355.

“Po edhe ka mundur të aplikojë Shqipëria për Kosovën, e jo Serbia”, tha Ymeri, duke bërë thirrje që në këtë interpelancë të diskutohet dhe votohet rezoluta.

Duke diskutuar në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Besim Beqaj tha se efektet financiare të kodit telefonik do të jenë të shumta për Kosovën.

“Ky kod do të mundësojë që trafiku ndërkombëtar të shkojë drejtpërdrejt nga Kosova dhe prej vendeve direkt në Kosovë. Jo më nga Monako e Serbia, po Kosova me këtë bëhet pjesë e trafikut ndërkombëtar”, tha Beqaj, duke theksuar se në emër të GP të PDK-së e përkrah Qeverinë në këtë çështje.

Ndërsa, Ismet Beqiri, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, tha se “konsiderojmë se çështja e kodit telefonik shtetëror është në rrugë të mbarë të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel e me diskutimet këtu nuk zgjidhet”.

“Për përfitimet nga ky kod nuk po flas se foli kryeministri. Kjo nuk mund të zgjidhet me vullnet të njëanshëm. Kodi do të fitohet si rezultat i dialogut e marrëveshjeve në Bruksel”, tha Beqiri, duke shtuar se çdo qasje tjetër është politike e populliste dhe nuk i shërben qëllimit tonë.

14:40

Ndërsa, deputeti Glauk Konjufca ka pyetur se cili do të jetë statusi i kodit +383, duke thënë se në këtë rast kemi të bëjmë me rrjedhje të sovranitetit.

Ai ka theksuar se kur të thirret një numër në Serbi nuk do të ketë nevojë të sillet prefiksi i këtij vendi. “Kur e thirrni Serbinë s’keni nevojë për prefiks se konsiderohet komunikim i brendshëm, a kur e thirrni Maqedoninë, Kroacinë e Slloveninë po se konsiderohet thirrje ndërkombëtare”, tha Konjufca.

Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Pal Lekaj, e pyeti kryeministrin se pse po e bëjnë Serbinë pjesë të marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se me këto marrëveshje “shtetësia e Kosovës dita-ditës po zbehet”. “Ne nuk do t’ju përkrahim në këto marrëveshje që janë në dëm të Kosovës”, tha Lekaj.

Kurse, për deputetin nga radhët e Nismës për Kosovën, Enver Hoti, pasojat nga marrëveshjet janë tepër të mëdha për Kosovën, jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë politik dhe të sigurisë kombëtare.

“Kosova deri sot në mungesë të kodit telefonik llogaritet që ka humbë 600-800 milionë euro, pavarësisht që ARKEP jep shifër tjetër, diku mbi 200 milionë. Ne konsiderojmë që kjo marrëveshje e arritur në Bruksel të mos nisë të zbatohet pa kompensimin e dëmeve të shkaktuara. Ne kërkojmë të anulohet marrëveshja e tillë e të aplikohet për kod pa kushtëzime nga Serbia”, tha Hoti.

15:20

Duke u ndërlidhur me atë që parasheh marrëveshja për kodin telefonik, që një kompani telefonike serbe të ushtrojë veprimtarinë në Kosovë, deputeti Rexhep Selimi pyeti se çka do të ndodhë nëse kjo kompani nuk e respekton Ligjin për Përgjime e nuk i jep qasje AKI-së?.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Albin Kurti, tha se ashtu siç ka aplikuar UNESCO pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova ka mundur të aplikojë edhe në ITU.

“Gjatë negocimit Qeveria e Kosovës e ka ditur që ne kemi mundur drejtpërdrejt në ITU, por nuk e kanë bërë. Legalizimi i Serbisë në Kosovë të maskohet me bisedime për kod telefonik, kjo ëahtë arsyeja. Kodi telefonik ndërkombëtar është çështje e sovranitetit shtetëror. Por, meqë kanë hyrë në pazar, a ka provuar të negocioje mbi bazën e reciprocitetit?”, ka pyetur ai.

Pasi kanë përfunduar të gjitha diskutimet, kryeministri Isa Mustafa e ka marrë fjalën pëmbyllëse.

Mustafa tha se në vërejtjet hyrëse është përpjekur të prezantojëatë qe është qëndrim i Qeverisë se Kosovës, ndërkohë që në diskutime u shtruan disa çështje, si e pronësisë mbi kodin telefonik, kush e ndan këtë kod, Serbia apo ITU, çështja e kodit telefonik me Shqipërinë, çështja e ndërlidhjes me rezolutën që ka nxjerrë Kuvendi.

“Kodi telefonik do të jetë kod telefonik i Kosovës e Kosova do të jetë pronare e tij. Serveri do të jetë në Kosovë. Kodin telefonik nuk e ndan Serbia por e ndan ITU. Kosova nuk është pranuar të aplikojë për vete. Por ne kemi bërë zgjidhje, për ne aplikon Austria. Sa i përket rezolutës që ka qenë më parë, jam informuar nga ministrja për Dialog se janë bërë bisedime me Shqipërinë por nuk është arritur marrëveshje”, tha Isa Mustafa.

“Kosova përfiton me këtë kod telefonik e ky Kuvend duhet ta përkrah”, tha Mustafa.

Në fund, grupi parlamentar i Vetëvendosjes e ka përgatitur rezolutën rreth kodit telefonik të Kosovës.

Përmbajtja e rezolutës e lexuar nga Visar Ymeri: “Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të nisë negociatat me Republikën e Shqipërisë për zëvendësimin e kodit telefonik; Obligon Qeverinë t’i raportoje Kuvendit një muaj pas miratimit të kësaj rezolute dhe obligon kryesinë e Kuvendit që këtë kërkesë t’ia përcjellë Shqipërisë”.

Meqë në sallë nuk pati kuorum, votimi i rezolutës do të tentohet pas pauzës që përfundon në 15:30.

16:20

Në mungesë kuorumi rezoluta nuk është votuar.

http://kallxo.com/google-ia-njeh-kosoves-kodin-telefonik-383/