Konferenca "Ambienti i Biznesit 2017" - Foto: ZKM

Mustafa: Kosova Shumë Shpejt e Kalon Pragun e Varfërisë

Kosova shumë shpejt do ta kalojë pragun ndërkombëtar të varfërisë dhe do të konsiderohemi si shtet me të ardhura të mesme, tha kryeministri Isa Mustafa në konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, i organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”

“Prandaj, qysh në këtë pjesë të parë të vitit, ne presim që sipas kritereve të Bankës Botërore, nuk do të kemi më argumente që ta quajmë veten vend të varfër, por nuk do të kemi po ashtu mundësi që të shfrytëzojmë fondet nga institucionet ndërkombëtare të cilat ndahen për vendet e varfëra”, ka theksuar kryeministri duke prezantuar planet e Qeverisë për zhvillimin e sektorit privat.

Gjatë kësaj konference, Mustafa theksoi se ambienti në të cilin zhvillohet jeta ekonomike në Kosovë nuk varet vetëm nga masat e politikave makroekonomike të shtetit, por edhe nga segmentet e tregut, nga politikat e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Fillimi i implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ka vlerësuar ai, paraqet hapin e parë të daljes nga “lëvozhga” e ekonomisë lokale në një ekonomi e cila operon karshi ekonomive tjera të tregut të Bashkimit Evropian dhe po ashtu ballafaqohemi me risqe dhe të mirat e kësaj rruge të cilën ne po e ndjekim.

Lidhur me punësimin, kryeministri Mustafa theksoi se një problem në shoqërinë tonë është se shumica nuk e trajtojnë veten tamam të punësuar nëse nuk janë të punësuar në sektorin publik, ku pagat janë më të larta, siguria në punë është më e madhe, mundësitë për të mos punësuar janë shumë më të mëdha, ndryshe nga sektori privat ku efektet dhe angazhimi në punë është më i madh, ku të ardhurat nuk rriten jashtë rezultateve të arritura në treg, ku kemi ballafaqime me riskun dhe ballafaqime me konkurrencën.

Kryeministri Mustafa theksoi po ashtu në këtë konferencë se Kosova po shënon rritje të qëndrueshme ekonomike, jo sa synohet por një rritje progresive. Ai shtoi se në vitet 2015 dhe 2016 rritja reale ekonomike ka rritur 4 %, dhe se në bazë të trendëve që janë aktualisht “mund të presim që rritja ekonomike në vitin 2017 të jetë rreth 5 %”.

Mustafa tha se Qeveria pret që në vitin 2017 të kemi rreth 25 mijë vende të reja të punës dhe që norma e papunësisë të ulet nën shifrën prej 20 për qind.