Isa Mustafa, kryetar i LDK-së. Foto: KALLXO.com

Mustafa: Koalicioni me PDK-në, Çështje e Mbyllur

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Isa Mustafa thotë se kundërshtimi i koalicionit me PDK-në nuk është vetëm çështje e vullnetit të tij, por e një konsensusi të plotë të degëve të LDK-së që me të të mos bëhet koalicion “në këtë mandat”.

“Prandaj është çështje e mbyllur”, ka thënë ai.

Sa i përket interpretimit se ai apo LDK do të jenë kundër ndryshimeve, në qoftë se nuk bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje apo nëse nuk i bashkëngjiten asaj, Mustafa ka thënë se është një interpretim i gabuar.

“Qytetarët nuk kanë vendosur kështu. Asnjëri nga subjektet konkurruese në këto zgjedhje nuk e ka marrë besimin e plotë të qytetarëve për të qeverisur. Është në vullnetin tonë të vlerësojmë, natyrisht pa inate dhe pa zemërime por edhe pa i pranuar animet e jashtme, se çfarë është në interes të vendit”, ka shkruar Mustafa.

“Pyetja themelore që shtrohet është se cilat ndryshime i nevojiten vendit? Përgjigjen si LDK do ta kërkojmë në dialogun tonë të brendshëm, në bisedat me VV-në, me AAK-në, me Nismën. Do të shikojmë kah ardhmëria. Nëse pajtohemi në konceptet tona dhe nëse arrijmë të gjejmë rrugë të përbashkëta, atëherë edhe zgjidhja do të jetë e përbashkët. Nëse jo, qytetarët kësaj radhe ia kanë caktuar vendin çdo subjekti”, ka theksuar Isa Mustafa.

Në këtë postim, kryetari i LDK-së e ka quajtur “të vërtetë të hidhët” faktin se qeverisja e vendit rrezikon të jetë e varur shumë nga vullneti i Listës Serbe, përkatësisht nga Serbia, “në qoftë se ne nuk gjejmë konsensus shqiptar”.

“Dhe një e vërtetë tjetër është se qëndrimet e LDK-së që mos të vazhdohen mandatet e rezervuara për komunitetet joshumicë, e minimizojnë këtë rrezik nga lista serbe, sepse duke analizuar pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje, me vende të rezervuara ata do të arrinin të kenë deri afër 20 deputetë në Kuvend, që do të ishte krejtësisht e padrejtë”, ka theksuar Isa Mustafa.