Mustafa Kërkon Stabilitet në Vendet e Punës në Biznese

Kryeministri, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Avdullah Hoti e Valon Murati, gjatë vizitës së tij në kompaninë e tekstilit “KosovaTex” tha se njerëzit në përgjithësi ankohen për papunësi por kur ofrohet mundësia problem pastaj është stabiliteti i qëndrimit në punë sepse, sipas tij, njerëzit nuk janë të prirë të qëndrojnë gjatë në një vend të punës.

“Të gjithë ne ankohemi se nuk kemi punë por kur puna ofrohet pastaj është problem i stabiliteti sepse njerëzit nuk janë të prirë të qëndrojnë gjatë në vendin e punës dhe të punojnë ashtu siç janë kriteret e produktivitetit evropian sepse është fjala për biznese të cilat duhet të konkurrojnë në tregun evropian dhe këtë konkurrence duhet ta bëjmë me produktivitet të lartë, paga konkurruese dhe cilësisë konkurruese”, tha Mustafa.

Ai shtoi se duhet të punohet që të krijohet një treg efiçient i punës gjë që do të sigurojë stabilitetin e bizneseve në Kosovë.

“Ne duhet të punojmë që të krijojmë një treg të punës i cili është efiçient cili është konkurrues dhe i cili siguron stabilitetin e bizneseve dhe investitorëve  që kanë ardhur këtu”, shtoi kryeministri.

Lazim Destani, pronar i kompanisë “KosovaTex” tha se kryeministri u njoftua me punën që është bërë në këtë kompani.

“U bisedua edhe për gjendjen momentale të fabrikës, po ashtu u bisedua edhe për ardhmërinë për idetë mendimet tona që kemi për investimet e reja këtu në Kosovë”, tha Destani.

Ai shtoi se biznesi në Kosovë është i qëndrueshëm dhe se Kosova ka mundësi ta zhvillojë atë.