Kryeministri Isa Mustafa bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare - Foto: ZKM

Mustafa: Heqja e Kufirit, një nga Fitoret më Domethënëse të UÇK-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha Mustafa, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit.

“Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur”, citohet të ketë thënë kryeministri.

“Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.

“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

http://kallxo.com/thaci-kujton-operacionin-e-uck-se-ne-koshare/