Mustafa: Gjendja në Veri Është Përmirësuar Dukshëm

Kryeministri Isa Mustafa në interpelancën për gjendjen e sigurisë në veri të vendit tha se në atë pjesë gjendja është përmirësuar dukshëm.

Mustafa përmendi projekte të ministrive të ndryshme me komunat serbe, të cilat sipas tij po realizohen me sukses.

“Ndryshimet pozitive në veri të vendit janë rezultat i drejtpërdrejt i dialogut të Brukselit, ndërmjetësuar nga BE”, tha shefi i Qeverisë në interpelancën e thirrur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, kërkesë që është përkrahur edhe nga 7 deputetë.

Ndërsa, deputeti Kurteshi tha se Serbia pa u penguar nga Qeveria e Kosovës po ngre koloni për kolonë si në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe të regjimit të Millosheviqit dhe kujtoi se regjimi i Millosheviqit ka djegur mbi 100 mijë shtëpi.

Po ashtu, deputeti i VV-së përmendi faktin se në përurimin e punimeve për ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit” kanë pjesë ministrat e Isa Mustafës, e ky nuk ka marrë masa kundër tyre.

Sa i përket “Luginës së Diellit”, kryeministri Mustafa tha se është kërkuar të ndërpriten të gjitha aktivitetet në Zveqan deri të përcaktohet plani ndërtimor konform ligjeve të Kosovës.

“Kam biseduar me ministrin për Kthim që mos të vazhdojë puna deri në përmbushjen e obligimeve ligjore”, theksoi ai.

17:20

Si problem kyç shefi i Qeverisë përmendi moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe ndërhyrjen e saj e Serbisë me strukturat paralele, e cila sipas tij është akoma evidente. Prandaj, ai kërkoi një “reagim edhe më të qartë” të institucioneve ndërkombëtare.

Kryeministri shprehu bindjen se besueshmëria e qytetarëve të asaj pjese është vazhdimisht në rritje.

Si të arritura Mustafa përmendi vendosjen e qendrave sociale, shuarjen e strukturës të “Mbrojtjes Civile” dhe integrimin e saj në institucionet shtetërore të Kosovës, fillimin e rivitalizimit të urës së Ibrit dhe nisjen, në nëntor e dhjetor, të projekteve për menaxhimin e integruar të kufijve.

Isa Mustafa përmendi edhe mosrespektimin e simboleve në komunat veriore, por theksoi se simbolet shtetërore nuk po respektohen as “këtu”.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se dialogu duhet të mbetet alternative kryesore dhe e vetme për normalizimin e gjendjes në veri.

Ndërsa, Ismet Beqiri, kryetari i GP të LDK-së, tha se nuk ka ansjë dilemë që veriu i Kosovës mbetet problemi akut për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. “Kemi kërkuar vazhdimisht që në veri të funksionalizohen institucionet e Kosovës. LDK beson që dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e saj”, tha Beqiri.