Isa Mustafa në Kuvend | Foto: Atdhe Mulla

Mustafa Flet për ‘Turin dhe Turrin’ e PDK-së

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa në një postim në Facebook e akuzoi PDK-në se nuk di të qeverisë.

“PDK e AAK për dy tre ditë paralajmëruan vendimet kapitale për Kosovën. Por, pasi dështoi në maraton, pas dy vjet e gjysmë, vendimin më të madh PDK e mori pas turit të dëgjimit. Populli i tha dorëzohu se nuk dini me qeverisë dhe u dorëzuan para një partie të vogël”, shkroi Mustafa.

Sipas Mustafës, këtyre partive vendi do t’u tregohet pas 11 qershorit.

“Tani, për koalicionin e karavanit të partive pason “turri”i votës, i cili bashkërisht do t’ua tregojë vendin. Pastaj kanë kohë të mendojnë me kokë, sesi merren vendimet e mëdha”, shkroi Mustafa.

Kreu i PDK-së Kadri Veseli qëkur deputetë të kësaj partie përkrahën mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, ka thënë vazhdimisht se kësaj qeverie i kanë munguar vendimet e mëdha, edhe pse edhe vetë PDK-ja ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Qeveria Mustafa u rrëzua nga Kuvendi i Kosovës pas mocionit të mosbesimit të 10 majit. Pastaj Presidenti Thaçi shpërndau Kuvendin dhe i caktoi zgjedhjet për 11 qershor.

http://kallxo.com/kuvendi-rrezoi-qeverine-mustafa/

Në këto zgjedhje LDK-ja e drejtuar nga Mustafa do të garojë në koalicion me AKR-në dhe Alternativën, ndërsa PDK-ja me AAK-në, Nismën dhe disa parti më të vogla.