Mustafa Flet për Realitetin e Dhunshëm

Ai në një postim në Facebook përmendi djaloshin sirian Omran Daqneesh që u nxor nga rrënojat e bombardimeve dhe shumë ngjarje të tjera të rënda që ndodhën.

“Janë miliona refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani, Libia. Sulmet ruse në Ukrainë dhe pushtimi i Krimesë- një vendi sovran. Aktet terroriste në Francë, Belgjikë, Turqi. Tentim grushtshteti në Turqi me shumë viktima në njerëz. Nuk janë këto vetëm lajme dhe pamje të rënda, por janë realiteti në të cilin po jetojmë,” shkroi Mustafa.

Më tutje në postim ai e lidhi këtë realitet botëror me zhvillimet në Kosovë.

“Edhe realiteti ynë për një kohë të gjatë, për fat të keq, zë lajmet botërore me gazin lotsjellës në Sallën e Parlamentit, me sulmet me shishe molotovi dhe gurë në ndërtesat qeveritare e shtëpi private, me hedhje të bombave në shtëpi private dhe Televizionin ppublik, me gjuajtje me armë të rënda në ndërtesën e Parlamentit,” shkroi më tutje Mustafa.

Mustafa bëri të ditur se situata e krijuar është e rrezikshme.

“Në krejt këtë situatë po e shohim se edhe njerëzit tanë po e sulmojnë shtetin e tyre, por nuk duhet të kemi iluzione se edhe dikush tjetër s’mund të shfrytëzojë këto kërcënime,” vijoi postimi i Mustafës.

Ai kujtoi se ShBA-ja dhe të tjerët e shpëtuan njëherë Kosovën, por sipas Kryeministrit këtë fat nuk do ta kemi përherë.

“E kemi të freskët edhe kujtesën për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar për të na shpëtuar nga gjenocidi dhe zhbërja. Kosova e ka përjetuar tmerrin e dhunës dhe nuk përkrah dhunën. Kosova ka pasur fatin që në momentet më të vështira i kanë dalë në krah SHBA-të dhe komuniteti ndërkombëtar. Këtë fat nuk do ta kemi përherë,” shkroi Mustafa

Për të “trimat nuk janë për të kërcënuar vendin e tyre, por për t’i dalë në krah këtij vendi”.