Kryeministri Isa Mustafa vendos kurorë me lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari - Foto: KALLXO.com

Mustafa e Veseli Bëjnë Homazhe në Prekaz

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa bashkë me ministrat kanë bërë homazhe në varrezat e familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz.

“Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër që meriton respekt të veçantë të të gjithë neve dhe para të cilës ne përkulemi të gjithë”, tha kryeministri Mustafa.

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe i pari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit”, ka thënë ndër tjera kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, vendos kurorë lulesh te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari - Foto: Facebook
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, vendos kurorë lulesh te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari – Foto: Facebook

Homazhe në Prekaz në kuadër të Epopesë së UÇK-së dje bëri edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

http://kallxo.com/thaci-ben-homazhe-ne-prekaz/

Epopeja e UÇK-së shënon përvjetorin e betejës së lavdishme mes familjes legjendare Jashari të Prekazit dhe forcave serbe.

Në këtë betejë, që ka zgjatur tre ditë, janë vrarë 55 njerëz, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë të Adem Jasharit dhe vetë ai.

Beteja në Prekaz është zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Forca e Sigurisë së Kosovës pothuajse çdo vit organizon ceremoni ushtarake për të kujtuar veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

http://kallxo.com/fsk-nderon-epopene-e-uck-se/