Isa Mustafa në Kuvend | Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: E Vërteta Dhemb

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa në një postim në Facebook duke u kthyer te rrëzimi i qeverisë më 10 maj të këtij viti tregoi se do të donte të shkruante se ekzekutivi i drejtuar nga ai u kritikua me vend, por kjo sipas tij nuk ndodhi.

Ai përmendi edhe njëherë se qeveria e tij u përball me sulme.

“Ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë. Promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotësjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës”, shkroi Mustafa.

Këto gjëra, sipas Mustafës, i hapën rrugë krijimit të qeverisë së ardhshme me anë të pazareve.

“U hapën rrugë atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme. Me sekserë. Sepse ndryshe e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendoj politikisht”, shkroi më tutje Mustafa.

Mustafa në postimin e tij konstatoi se e vërteta është e dhimbshme, por ballafaqimi me të duhet të ndodhë.

“E vërteta është e dhimbshme. E vërteta nuk bën të harrohet. Sepse vetëm e vërteta bëhet faktor korrigjues i sjelljeve. Djallit engjëll nuk mund ti themi. Edhe Bibla edhe Kurani e pranojnë se kemi djaj dhe engjëj, por ata i ndan. Ndërkaq, njerëzit i edukojnë të bëjnë vepra të mira”, përfundoi postimi i Mustafës.

Kryeministri në detyrë edhe dje nëpërmjet Facebook-ut kritikoi ish-ambasadorët amerikanë dhe Vetëvendosjen.

http://kallxo.com/mustafa-kritikon-ish-ambasadoret-amerikane-dhe-vetevendosjen/

Gjashtë ditë më parë Vetëvendosje dhe LDK-ja nisëm bisedimet për përafrimin e qëndrimeve rreth formimit të qeverisë.

http://kallxo.com/vv-e-ldk-nisin-bisedimet-e-nderprera-per-qeverine/

Albin Kurti në Kuvend e kishte kritikuar Mustafën për dinamikën e ngadaltë të bisedimeve të tilla, ndërsa zyrtarë të LDK-së i kishin kërkuar Vetëvendosjes kërkim faljeje për veprimet e tyre gjatë qeverisjes Mustafa.