Mustafa e Ahmeti Tregojnë Kush Është me PDK-në

Një polemikë në distancë e nëpërmjet Facebook-ut ka shpërthyer sot mes kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe Shpend Ahmetit, kryetarit e kandidatit për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosja.

Mustafa në një postim të tijin e ka akuzuar Ahmetin se bashkëpunon me PDK-në kundër LDK-së.

“Në vitin 2013 Shpendi shkoi në balotazh me 9,300 vota më pak. Vetëvendosja bëri koalicion të fshehur dhe i bashkoi votat me PDK dhe e përmbysën rezultatin”, shkroi Mustafa.

Më tutje ish-kryeministri përmendi edhe mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së tij kur tha se LVV-ja u bë bashkë me PDK-në kundër LDK-së.

“Në vitin 2017, Vetëvendosje u bashkua me PDK-në, Lista Serbe, AAK dhe gjithë të tjerët; u bënë bashkë dhe e rrezuan qeverinë e drejtuar nga LDK”, shkroi Mustafa.

Akuzave të Mustafës iu përgjigj po nëpërmjet Facebook-ut Shpend Ahmeti që akuzoi LDK-në për bashkëpunim më PDK-në kundër LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Në Kuvendin Komunal të Prishtinës qe tre vite e edhe më tutje mjafton me ja mshel synin Agim Gashi Lirakut e anasjelltas për me blloku gjana”, shkroi Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës më tutje shkroi se bashkëpunimi LDK- PDK është i gjatë.

“Qe gati 15 vite, në intervale të ndryshme LDK dhe PDK kanë bashkëqeverisur. Së fundmi në qeverinë e fundit Isa na i la bakshish Hashim Thaqin President e Kadri Veselin Kryetar Kuvendi”, shkroi Ahmeti.

Mustafa dhe Ahmeti në postimet e tyre e përmendën propagandën kur iu referuan fjalëve të njëri-tjetrit.