Isa Mustafa e Federica Mogherini - Foto: ZKM

Mustafa: Duhet t’i Implementojmë Marrëveshjet e Arritura

Përmes një komunikate, Zyra e Kryeministrit thotë se Mustafa ka nënvizuar përkushtimin për bashkëpunimin regjional dhe për avancimin e raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Biseduam edhe për nevojën e vazhdimësisë duke pas parasysh se janë iniciuar dhe jemi në proces të disa vendime që janë të rëndësisë themelore, siç janë ato të demarkacionit, asociacionit dhe për dialogun”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa para gazetarëve pas takimit.

Isa Mustafa, sipas komunikatës, ka theksuar qëndrimin si drejtues i LDK-së se do të mbesin të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati për kryeministër i partisë që ai drejton mbetet po ashtu i përkushtuar që këto procese t’i çojë përpara me Bashkimin Evropian.

“Vlerësojmë se nuk kemi rrugë tjetër, duhet që qytetarëve t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave edhe po ashtu duhet t’i implementojmë marrëveshjet që i kemi arritur”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Isa Mustafa ka marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku është diskutuar për gjendjen aktuale, perspektivën si dhe avancimin e rrugës eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.