Mustafa: Donika Mund të Ishte Mysafire

Mustafa tha se nga Gërvalla nuk ka pasur ndonjë kërkesë për të qenë mysafire në Kuvendin e Punës.

Donika Gërvalla është kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani që kontestohet nga ky subjekt në qendër.

Kryetari i LDK-së dhe Kryeministri Mustafa paralajmëroi zgjedhje në degët e LDK-së në Gjermani e Zvicër.

“Sot kemi marrë vendim që t’i mbajmë zgjedhjet e reja në degën tona në Gjermani e Zvicër,” tha Mustafa.

Donika Gërvalla dhe Shefqet Dibrani, kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër nuk u lejuan të marrin pjesë në punimet e Kuvendit të sotëm Zgjedhor.

Gërvalla nuk u lejua të hyjë as në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të zhvilluar më 20 maj, duke u tërhequr zvarrë nga sigurimi.

http://kallxo.com/familja-gervalla-incidenti-parapergatitur/

Mustafa foli për zërat ndryshe në LDK.

“Problemet që i kemi ne si LDK, e  ne si qeveri, i tejkalojmë, problemet individuale,” tha Mustafa.

Deputetja Vjosa Osmani tha sot se në Kuvendin e Punës së LDK-së ka pasur probleme.

“Fatkeqësisht ka pasë shumë probleme. E para është kopjimi i emërimit të kësaj mbledhjeje. Ata po e kopjojnë PDK-në, duke e quajtur këtë mbledhje si konventë, a në fakt ne e kemi quajtur gjithmonë Kuvend,” tha Osmani.

Por Mustafa tha se i gjithë plani i ditës që përfshinte ndryshimet në status të LDK-së, miratimin e raportit financiar të Kuvendit të 7 dhe të 8 janë aprovuar me shumicë votash.

Musfafa tha se marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi e mbështesin shumica e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Në këtë Kuvend ne sot kemi marrë përkrahjen e deputetëve dhe KP të LDK-së. Shumica e ka mbështetë atë çka ka thënë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të gjeturat e Komisionit Ad-Hoc të Presidentes Jahjaga,” tha Mustafa.

Ai u shpreh optimist se Kuvendi do t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ratifikim.