Foto: Zyra e Presidentit

Mustafa: Bajram Rexhepi do të Mbahet Mend si Politikan që e Mban Fjalën

Zyrtarë të lartë shtetërorë dhe familjarë të Bajram Rexhepit kanë nderuar jetën dhe veprën e ish-kryeministrit të Kosovës në akademinë përkujtimore të organizuar nën patronatin e kryeministrit Isa Mustafa.

“Për ne që e njohëm dhe punuam me të në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbahet mend si politikan që e mban fjalën dhe të cilit mund t’i besohej, konstruktiv, i dijshëm, bashkëpunues dhe korrekt”, tha kryeministri Mustafa.

“Ndarja nga jeta e Bajram Rexhepit është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëveprimtarët dhe para së gjithash, edhe për Kosovën. Por, shoqëria dhe shteti ynë do ta kujtojë përherë dhe t’i jetë përherë mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin që ai ka dhënë për Kosovën gjatë gjithë jetës së tij”, shtoi ai.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmendi karakteristika të personalitetit të ish-bashkëpartiakut, të cilat, sipas tij Bajram Rexhepin e bëjnë një njeri të madh.

“Atë që e mendonte, e thoshte. Ishte personalitet me integritet të lartë dhe i respektueshëm në nivel nacional. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij do të na udhëheqin në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë.  Lavdi jetës, veprës dhe emrit të dr. Bajram Rexhepit”, tha Thaçi.

Në akademinë përkujtimore foli edhe Vanesa, vajza e ish-kryeministrit Rexhepi.

Ajo tha se pikëllimin e thellë që po e ndjen familja në këto momente po ua lehtëson krenaria që ka për veprën e babait të saj.

“Në këtë akademi përkujtimore, në nderim të më të dashurit tim, babit tim, Dr. Bajram Rexhepi, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do të përballojmë pikëllimin me krenarinë që na la trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh”, tha Rexhepi.

Bajram Rexhepi që ishte i pari kryeministër i zgjedhur i Kosovës së pasluftës, vdiq dje derisa po trajtohej në një spital turk.

Me rastin e vdekjes së tij, Presidenti Thaçi e shpalli ditën e sotme ditë zie, ndërkaq varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 16:30 në vendlindjen  e tij në Mitrovicë.