Kryeministri Isa Mustafa takohet me drejtuesit e Aeroportit të Gjakovës - Foto: ZKM

Mustafa: Aeroporti i Gjakovës, Aset i Rëndësishëm i Kosovës

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që në muajt në vijim të punohet fuqishëm në funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Këtë zotim Mustafa e bëri pas takimit me drejtuesit e Aeroportit dhe vizitës që ia bëri aseteve e pajisjeve ekzistuese të tij.

Për Aeroportin, kryeministri tha se është një aset tepër i rëndësishëm i Kosovës dhe se pas vizitës që do t’i bëjë shumë shpejt me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, të Transportit, të Financave dhe të FSK-së, do të shqyrtojnë mundësitë se si të veprohet më tutje.

“Do të zgjidhet edhe çështja e pronave, por para së gjithash çështja e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të këtij Aeroporti. Aeroporti është në vend të mrekullueshëm dhe shumë të përshtatshëm. Është një aset për të cilin ka nevojë Kosova që të shfrytëzohet ose për udhëtarë, për mallra, ose si shkollë e pilotimit ose për FSK-në apo Ushtrinë e ardhshme të Republikës së Kosovës. Ne, gjithsesi do të punojmë në muajt në vijim që ta funksionalizojmë, të sigurojmë që stafi i cili punon këtu të ketë mjete edhe për sigurimin e Aeroportit por edhe për mundësinë e operimit të tij”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai tha se janë marrë vesh që ta bëhet një studim i fizibilitetit nga i cili do të dalë rezultati konkret se si është mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtij Aeroporti.

Kryeshefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, e ka njoftuar për aktivitetet dhe për të gjithë punën që është kryer në Aeroportin e Gjakovës.

​“M0irëpo, njëherësh i ndamë edhe të gjitha sfidat dhe problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit. Shpresojmë se do të përfitojmë të dy anët nga ky takim. Aeroporti i Gjakovës është aset nacional, është aset shtetëror dhe jemi drejt funksionalizimit të këtij Aeroporti”, citohet të ketë thënë Gojani sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit.

Aeroporti i Gjakovës nën Kontroll të PDK-së