Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa: Adresa e Vetme e Kosovës Është Brukseli dhe ShBA

Fletarrestet e lëshuara nga Beogradi ndaj qytetarëve të Kosovës, të pagjeturit dhe çështje të tjera do të diskutohen sot në Bruksel në takimin mes palës kosovare dhe asaj serbe, të ndërmjetësuar nga BE, tha kryeministri Isa Mustafa.

“Ne do të mundohemi që gjithçka të sqarojmë në Bruksel, jo vetëm në takimin me palën serbe por, para së gjithash, në takimin me Përfaqësuesen e Lartë, zonjën Mogherini. Do të diskutojmë për problemet me të cilat Kosova po ballafaqohet, sidomos kohëve të fundit, që kanë të bëjnë me një veprim sistematik të Serbisë për destabilizimin e gjendjes në Kosovë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejt qoftë përmes strukturave paralele”, tha Mustafa në ceremoninë e lansimit të projektit “E-Kutia”.

Kryeministri theksoi se do të diskutohen edhe problemet që kanë lindur me fletarrestet që po lëshohen ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndaj luftëtarëve të UÇK-së, çështjen e të pagjeturve, do ta adresojnë këtë çështje në mënyrë që të zgjidhet më shpejtë dhe po ashtu të gjejmë mënyrën se si të rrumbullakohet më shpejt procesi i dialogut që ky dialog të mos zgjasë pa fund.

Mustafa shtoi se ky takim do të jetë i një niveli të veçantë sepse prezentë do të jenë kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve.

http://kallxo.com/haradinaj-kritikon-takimet-e-thacit-e-mustafes-homologet-serbe/

Kryeministri gjithashtu shtoi se Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë adresa e vetme e Kosovës dhe se këto adresa duhet të shfrytëzohen për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

“Adresa e vetme e Kosovës është Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ne do të shfrytëzojmë këto adresa në mënyrë që ne të trajtojmë çështjet me të cilat ne preokupohemi tash. E jona është që ne të bashkohemi dhe të bëhemi pjesë e familjes evropiane. Pjesë e familjes evropiane ne nuk mund të bëhemi nëse kundërshtojmë. Ne nuk kemi adresë tjetër. Tjerët mund të kenë tjetër adresë. Ne s’kemi, ne i kemi vetëm këto të dyja”, shtoi ai.

Ky takim është njëri ndër më të rëndësishmi që nga koha kur u nënshkrua marrëveshja e parë ndërmjet dy kryeministrave, më 19 prill 2013, për fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Në maj të vitit të kaluar, në emisionin “Jeta në Kosovë“ u diskutua për rezultatet e negociatave që kishin nisur tre vjet më parë.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-pas-tri-vitesh-dialog-kosove-serbi/

Redaktoi: Naser Sertolli