Ganimete Musliu, deputete e PDK-së - Foto: KALLXO.com

Musliu: Me ose Pa Listën Serbe, FSK Duhet të Bëhet Ushtri

Në debatin parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputetja Ganimete Musliu tha se kjo është çështja më e rëndësishme nacionale.

“Për Kosovën është moment jetik. Janë kryer të gjitha obligimet që FSK të transformohet në FAK. Ne nuk duhet të kemi dilema se duhet të formojmë ushtri, dilema mund të kenë vetëm injorantët”, tha deputetja Musliu.

Sipas saj, problemet me të cilat po përballet ky proces janë të qarta por jo të patejkalueshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për hapin final te transformimit. Tash duhet konsensus politik. T’i lëmë te paktën vetëm sot deklaratat boshe, e ta tejkalojmë këtë sfide bashkë”, kërkoi ajo nga kolegët deputetë.

Deputetja Ganimete Musliu theksoi se problemi kryesor, por jo i pazgjidhun, është Lista Serbe, që kanë ulëse e benifite që në vend të punës na pengojnë në punën tonë.

“Me apo pa ta FSK duhet të bëhet ushtri. Lista Serbe duhet ta kuptojë një herë e mirë që Kosova është shtet i të gjithëve. Ata këtu përfaqësojnë serbët e Kosovës, jo Serbinë”, tha ajo.

“Kemi bërë mjaft kompromise. Për transformimin e FSK-së nuk duhet të bëjmë kompromise”, theksoi deputetja e PDK-së.

http://kallxo.com/haradinaj-deri-1-mars-te-sillet-ne-kuvend-projektligji-per-fsk-ne/