Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

Murati: Liberalizimi më së Afërmi në Vjeshtën e Vonë

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dhënë një sqarim në Facebook lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës pas votimit të demarkacionit.

Murati ka thënë se me ratifikimin e demarkacionit, Kosova ka përmbushur një nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave.

“Vizat nuk janë liberalizuar ende. Me ratifikimin e demarkacionit, Kosova ka përmbushur një nga dy kushtet e mbetura. Mbetet për t’u parë vlerësimi i BE-së rreth progresit që Kosova ka bërë në luftimin e korrupsionit e krimit”, thuhet në postimin e Muratit.

Tutje ai ka thënë se proceduralisht, për liberalizim të vizave, në BE rol luajnë Komisioni e Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës.

“Fillimisht, Komisioni e bën vlerësimin se a janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pastaj, Parlamenti Europian mandatohet nga Komisioni Parlamentar kompetent (LIBE – Komisioni për të drejta civile, drejtësi dhe punë të brendshme)”, tregoi Murati.

Ai shpjegoi edhe procedurat në vijim.

Më pas, Këshilli miraton pozicionin negocues që i hapë rrugë dialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjen e tekstit i cili më pas hidhet në votim”, thuhet në postimin e tij.

Murati tutje ka thënë se pas dakordimit të tekstit, propozimi për liberalizim hidhet në votim në seancë plenare në Parlament, ku nevojitet shumica e kualifikuar.

“Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli duhet ta votojë propozimin, me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë). E tërë kjo procedurë mund të zgjasë 6 deri në 9 muaj. Nëse vlerësohet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, liberalizimi mund të na vie më së afërmi në vjeshtën e vonë”, thuhet në postim.

Ndryshe dje deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë votuar me shumicë votash marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Ratfikimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë njëri ndër kushtet kryesore për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./21Media