Murat Meha dhe Komuniteti LGBT Komentojnë Deklaratën e Ramush Haradinajt

Një shoqatë që mbron të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në mbledhje të Komisionit Parlamentar për Politikë të jashtme, teksa po fliste për zhvillimet e fundit në Kosovë, Haradinaj e quajti “peder” kryetarin e komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë takim.

Për Drejtoreshën Ekzekutive e Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë, Rajmonda Sylbije, një deklaratë e tillë është diskriminuese.

“Sot Ramush Haradinaj ka përdorë një gjuhë të urrejtjes, një qasje diskriminuese edhe stigmatizuese ndaj komunitetit LGBT në Kosovë”, tha Rajmonda Sylbije për KALLXO.com.

Ndërsa vetë i apostrofuari nga Haradinaj, Murat Meha, i kontaktuar nga KALLXO.com, nuk ka dashur të komentojë rreth cilësimit që mori nga lideri i partisë së dytë opozitare në Kosovë.

“Etika ime morale, profesionale, dhe familjare e cila 100 vjet ka kontribuar për shtetin nuk më lejon që të shprehem dhe të sillem në mënyrën e tillë, me njerëz të cilët jetojnë në shekullin e XXI dhe nuk e kuptojnë dokumentacionin”, tha Meha për KALLXO.com.

Deklaratën e Haradinajt e ka dënuar edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala.

Ai tha për KALLXO.com se Haradinaj ka përdorur “fjalor fyes” ndaj një komuniteti.

“Siç duket, Haradinaj ka dalur prej vetes për shkak se, sipas tij, është bërë një padrejtësi e madhe. Është fjalor fyes për një komunitet tjetër, si dhe është fyes edhe për vet Murat Mehën”, tha Behxhet Shala.

Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, Haradinaj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, pas pakënaqësive lidhur me marrëveshjen e Kosovës dhe Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Kjo marrëveshje u nënshkrua dy javë më parë gjatë një takimi të qeverive të rajonit në Vjenë nga ana e ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij malazez, Igor Lukshiq.

“Komisioni për Politikë të Jashtme është shndërruar në një instrument politik të Kryeministrit Mustafa dhe zv/kryeministrit Thaçi, dhe e ka humbur kuptimin dhe rolin që duhet ta ketë. Meqenëse në disa raste, ky Komision ka paraqitur edhe raporte apo dokumente të korruptuara, siç është edhe raporti Komisionit Shtetëror për Demarkacion, unë nuk e shoh veten pjesë të këtij instrumenti dhe lojërave politike që po provohen të kryhen përmes tij”, tha shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa duke reflektuar për deklaratën ndaj Mehës, kreu i AAK-së ka thënë se “disa njerëz të nxjerrin nga lëkura”.

“Cilësimi i sotshëm i Murat Mehës, në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës ka ardhur kur disa njerëz ta bëjnë borxh dhe me veprimet e tyre të nxjerrin edhe nga lëkura! Por Murat Meha vërtet është një kriminel ordiner institucional i cili për përfitime personale e grupore i ka sjellë vetëm dëm Kosovës, madje edhe duke falur tokën e saj”, ka shtuar Haradinaj.

Përplasje në mes të Haradinajt dhe Mehës ka pasur edhe në muajin korrik kur ky i fundit pati raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme i drejtuar nga Haradinaj.

Gjatë kësaj mbledhje Ramush Haradinaj është revoltuar duke i përplasur hartën në tavolinë dhe duke e liruar sallën ku po mbahej mbledhja.

Gjithashtu Haradinaj së bashku me rugovasit disa herë janë takuar në kundërshtim të vijës kufitare me Malin e Zi.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 12 gusht pati miratuar raportin e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi.